Lajmet

VAPIK Shënon një moment historik: Transferi i parë bankar drejt bartësve të të drejtave të autorit në fushën audiovizuale

Prishtinë, 05.08.2025

Më 5 gusht 2025 në Prishtinë, VAPIK realizoi me sukses transferin e parë bankar drejt bartësve të të Drejtave të Autorit në fushën audiovizuale—një hap i shumëpritur që shënon fillimin e një epoke të re për krijuesit e artit dhe kulturës në vend.
Ky moment historik u kremtua në një ceremoni solemne dhe të ngrohtë, ku u mblodhën figura të rëndësishme nga komuniteti artistik dhe institucional: autorë, interpretues, producentë, përfaqësues të operatorëve kabllorë dhe televizioneve, si dhe përfaqësues nga institucionet relevante. Të pranishëm ishin Ministri i Kulturës në detyrë, z. Hajrullah Çeku, ish-ministrja e Kulturës znj. Vlora Dumoshi dhe ish-ministri z. Memli Krasniqi, të cilët kanë luajtur role kyçe në mbështetjen e kësaj të drejte.
Ceremonin e hapi z. Lirak Çelaj i cili përshkroi procesin e arritjes së marrëveshjes mes VAPIK dhe operatorëve kabllorë në korrik të vitit 2024 hap ky që shënoi kthesë vendimtare në këtë proces.
Në vazhdim të pranishmëve ju drejtua edhe z. Blerim Gjoci i cili në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi rëndësinë e këtij hapi si një akt jo vetëm ligjor, por edhe moral, që rikthen dinjitetin dhe vlerësimin për punën e palodhur të krijuesve audiovizualë. “Ky është një moment që na kujton se arti nuk është vetëm pasion, por edhe profesion që meriton shpërblim të drejtë,” u shpreh ai.
VAPIK ndau mirënjohje të veçanta për secilin prej kontribuuesve, duke falënderuar për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të autorit. Kulmi i ceremonisë ishte dorëzimi solemn i dëshmisë së transferit bankar të parë nga z. Hajrullah Çeku për z. Naser Rafuna—producent, autor dhe aktor i njohur—duke simbolizuar fillimin konkret të shpërblimit për krijimtarinë audiovizuale.
Ky akt shënon jo vetëm një arritje institucionale për VAPIK-un, por edhe një fitore për të gjithë komunitetin krijues, duke vendosur një precedent të rëndësishëm për të ardhmen e të drejtave të autorit në Kosovë.

Nënshkrimi i marrëveshjes për zbatimin e tarifave të ritransmetimit

Prishtinë, 15.07.2024

Në ambientet e Ministrisë së Kulturës, sot, më 15 korrik 2024, VAPIK dhe përdoruesit e të drejtave të autorëve, operatorët kabllorë IPKO Telecommunications, Artmotion, Kujtesa Net, Telkos, ISP Broadcast dhe Optimum Telecommunications, kanë nënshkruar marrëveshje për zbatimin e pagesës së tarifave të ritransmetimit siç është rregulluar me vendimin e datës 19.10.2020, me efektivitet nga data 1 prill 2021 e deri më 31.12.2024, dhe në bazë të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

 

Marrëveshja është nënshkruar nga Lirak Çelaj, drejtor menaxhues dhe përfaqësuesit e operatorëve të lartcekur. Marrëveshja është nënshkruar në prezencë të përfaqësuesve të MKRS dhe të KPM të cilët ishin angazhuar në ndërmjetësimin mes VAPIK dhe Operatorëve kabllorë me qëllim zbatimin e Ligjit për të Drejtat e Autorit të cilët poashtu kanë marr garanci që Ligji dhe Marrëveshja do të zbatohet plotësisht nga të dyja palët.

 

Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në menaxhimit kolektiv sa i përket të Drejtave të Autorit Audiovizuel e cila siguron pagesën e tarifave të akumuluara që nga viti 2021, përcaktimin e tarifave të zbritura për vitet 2025-2028, tërheqjen e padive nga VAPIK dhe operatorët kabllorë, përcaktimin e tarifave të reja për vitin 2029 me marrëveshje sipas ligjit në fuqi, dhe luftimin e piraterisë dhe informalitetit në treg nga të gjitha palët nënshkruese.